Regjistrimi i titujve të tokës bujqësore shënoi rekord në 2025
Regjistrimi i pronësisë mbi tokën bujqësore arriti nivelin më të lartë të viteve të fundit gjatë vitit zgjedhor 2025.

Regjistrimi i titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore shënoi një rritje të fortë gjatë vitit 2025, duke arritur nivelin më të lartë të periudhës së fundit. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit të kaluar u regjistruan 26,769 tituj, një shifër dukshëm më e lartë krahasuar me vitin 2024, kur ishin regjistruar vetëm 1,627 tituj.
Të dhënat tregojnë se gjatë periudhës 2019–2025 janë regjistruar gjithsej 104,799 tituj mbi tokën bujqësore. Në vitin 2019 u regjistruan 8,311 tituj, në vitin 2020 numri u rrit në 18,576, në vitin 2021 arriti në 22,400, ndërsa në vitin 2022 u regjistruan 18,296 tituj. Më pas ritmi ra në 8,820 tituj në vitin 2023 dhe në vetëm 1,627 tituj në vitin 2024, përpara se të arrinte rekordin e ri në vitin 2025.
Rritja përkon me vitet zgjedhore
Të dhënat tregojnë se dy kulmet kryesore të regjistrimeve janë shënuar në vitet 2021 dhe 2025, të cilat përkojnë me vitet e zgjedhjeve të përgjithshme. Një situatë e ngjashme është vërejtur edhe në procesin e legalizimeve, ku ritmet e formalizimit janë përshpejtuar në periudha zgjedhore.
Megjithatë, procesi i formalizimit të tokës bujqësore vazhdon të konsiderohet një nga çështjet më komplekse të pronësisë në Shqipëri, për shkak të dokumentacionit të paplotë dhe problematikave të trashëguara nga ndarja e tokës pas vitit 1991.
Dokumentacioni mbetet pengesa kryesore
Sipas raportit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për vitin 2025, procesi i kalimit në pronësi të tokës bujqësore të dhënë në përdorim mbështetet në ligjin 7501/1991 “Për tokën” dhe në ligjin 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”. Procesi bazohet te dokumentacioni i ndarjes së tokës i depozituar pranë njësive vendore, ish-seksioneve të kadastrës dhe Drejtorive të Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës.
ASHK thekson se dokumentacioni është dorëzuar me vonesa dhe në shumë raste mbetet i paplotë. Sipas raportit, dokumentacioni ende nuk është dorëzuar plotësisht nga Drejtoritë e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë këshillave të qarqeve Vlorë, Berat, Gjirokastër dhe Kukës, si dhe nga prefekturat e qarqeve Berat, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë.
Edhe dokumentacioni arkivor i dorëzuar nga bashkitë konsiderohet i mangët, duke vështirësuar verifikimin ligjor të kalimit të tokës nga përdorimi në pronësi.
Mbi 27 mijë kërkesa, por vetëm 245 vendime
Nga njësitë e vetëqeverisjes vendore janë administruar më shumë se 27 mijë kërkesa për kalimin e tokës bujqësore në pronësi. Gjatë vitit 2025 u trajtuan 2,454 kërkesa, ndërsa u morën vetëm 245 vendime për kalimin ose moskalimin e tokës nga përdorimi në pronësi.
Sipas Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, diferenca e madhe mes numrit të kërkesave të shqyrtuara dhe vendimeve të marra lidhet kryesisht me mungesat dhe problematikat në dokumentacionin ligjor që duhet të paraqitet nga aplikantët.
Rritje e ndjeshme e vendimmarrjes
Megjithatë, viti 2025 shënoi përmirësim të ndjeshëm në procesin e vendimmarrjes. Në vitin 2022 ishin marrë vetëm 15 vendime për kalimin e tokës bujqësore në pronësi, në vitin 2023 vetëm 6 vendime, ndërsa në vitin 2024 numri u rrit në 41. Gjatë vitit 2025, numri i vendimeve arriti në 245, niveli më i lartë i regjistruar në periudhën e raportuar.
Këto zhvillime tregojnë se formalizimi i tokës bujqësore ka marrë ritëm gjatë vitit 2025, por ecuria e mëtejshme e procesit mbetet e kushtëzuar nga plotësimi dhe cilësia e dokumentacionit të trashëguar ndër vite.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)